Bashkia Kavaje

Kavaja ne rrjedhen e Historise

E gjithë treva që përfshihet në trekëndëshin nga Shkëmbi i Kavajës në veri, deri në fshatrat Rostej e Bashtovë në  juglindje e në jugperëndim, ka qenë e banuar që nga kohët fort të moçme.

Vegla pune të moçme

Në fshatin Hajdaraj është gjetur një çekan-sopatë prej guri që është përdorur rreth 5000 vjet më parë.

Një çekan tjetër prej guri është gjetur edhe në fshatin Ballaj. Edhe ky është çekan i tipit sopatë dhe ngjan me atë të gjetur në fshatin Hajdaraj.

Çekani i Ballajt është gdhendur e modeluar me mjeshtri në gur të fortë, të quajtur xhedeit, me ngjyrë të gjelbër të errët. Tehu është i mprehtë e në mes çekani ka një vrimë , ku vendosej shkopi i drunjtë. Cekani-sopatë i gjetur në Ballaj është 4.500 vjeçar. Ai flet për ekzistencën e jetës në trevën tonë në kohë shumë të hershme.

Në perëndim të vendit, ku është gjetur çekani-sopatë, pranë fshatit Vilë-Bashtovë, në vendin e quajtur Linëz, është gjetur një sopatë bipene (dytehëshe) hekuri e shekullit VIII p. e. r.

  RRUGET E VJETRA

Që nga kohët e lashta mespërmes  Kavajës kalonte një nga rrugët më të vjetra të Ilirisë, rruga  Dyrrah-Maqedoni. Ajo njihej me emrin “Rruga e Kandavisë”, siç quheshin në atë kohë malet e Polisit të Elbasanit. Nëpërmjet kësaj rruge kryheshin lidhjet ekonomike ndërkrahinore. Ajo ishte me kalldrëm, deri në 2 m e gjërë për kalimin e karvaneve.

Rruga Egnatia

Rruga Egnatia nuk është tjetër veçse rruga e vjetër kandave. Ajo u zgjerua e u sistemua, kur në Ballkan ishte vendosur pushtimi romak.. .

Rruga Egnatia u sistemua në mesin e shekullit II p.e.r. dhe mori formën e saj të plotë në vitet e sundimit të  perandorit August.

Traseja e kësaj rruge ka qenë 6-7 m e gjërë, me kanale kulluese nga të dyja anët. Kalldrëmi i gjërë 5-7 m ishte i mbuluar me shtresë çakulli në fillim më të trashë e pastaj me një shtresë më të hollë.

Në anë të rrugës kishte gurë miliarë që tregonin distancën e rrugës. Gurët miliarë ishin shtylla 1.5-2.5 m të larta, me diametër 40-50 cm. Ata ishin të rrumbullakët dhe peshonin 15-20 kv, prandaj ishte shumë e vështirë për t’i lëvizur.

Rruga Egnatia dilte nga Durrësi dhe vazhdonte pas rrugës së tanishme. Matanë Urës së Dajlanit dhe nën rërën e bregdetit janë gjetur mbeturina të kësaj rruge. Duke vazhduar anën e detit ajo kalonte nën Shkëmbin e Kavajës dhe që këtu merrte drejtimin për në Kavajë, vazhdonte tek Mali i Robit, përshkonte fushën ndërmjet fshatrave Qerret e Agonas, kapërcente Përroin e Leshniqes, ndiqte Rrugën e Firës, kalonte pranë Kullës së Sahatit, dilte në Shtodhër e Kryeluzaj, Përroin e Darçit e kapërcente mbi një urë me dy harqe, rrënojat e së cilës duken edhe sot. Më pas vijonte në Gosë, arrinte në Bisht të Zhurit, kalonte Rrogozhinën e vazhdonte për në Peqin e më tutje.

Përgjatë Rrugës Egnatia, në largësi të caktuara, kishte vende pushimi si bujtina dhe stacione shërbimi, ku u shërbehej udhëtarëve e karvaneve, që përshkonin këtë rrugë. Si rregull, bujtina kishte çdo 50-64 km, ndërsa stacione shërbimi çdo 11-13 km.

Stacioni i parë i Rrugës Egnatia, pasi ajo dilte nga Durrësi, ishte në fshatin Kryeluzaj.

Rruga Dyrrah – Apolloni

Rruga Dyrrah-Klodiana-Apolloni ishte mjaft e gjatë dhe për ta shkurtuar distancën u ndërtua rruga e drejtëpërdrejtë Dyrrah-Apolloni.

Kjo rrugë, që nisej nga Durrësi, pasi kalonte Kavajën, në fshatin Kryeluzaj kthehej në të djathtë dhe përmes fushës arrinte në fshatin Luz i Vogël. Që këtu shkonte në Maskaresh (lagje e fshatit Beden), Çorum dhe duke ndjekur rrëzën e kodrës arrinte në Ballaj.

Në këtë pjesë duken akoma shenja të një rruge mjaft të gjërë. Rruga e kapërcente lumin Shkumbin në Bashtovë, kthehej në kodrinat e Çokut dhe duke kaluar nëpër Divjakë, arrinte lumin Seman. Që këtu vazhdonte pas kodrave të Libofshë-Petovës, arrinte në Mbrostar, vazhdonte përmes fushës dhe takohej pranë Fierit me rrugën Apolloni-Klodiana (Peqin).

Veç këtyre rrugëve në rrethin e Kavajës ka patur edhe rrugë të tjera që lehtësonin lëvizjen e njerëzve, karvaneve dhe ushtrive.

E tillë ka qenë rruga që niste nga fshati Karinë e Peqinit. Ajo, pasi përshkonte luginën e Përroit të Rrushtës dhe të Pezës së Madhe, dilte në Pezë të Vogël. Këtu njera degë merrte drejt Durrësit dhe tjetra drejt Tiranës, ku ndiqte Rrugën e Arbërit.

Këtë rrugë e ka përdorur edhe Cezari në përpjekjet e tij për të pushtuar Durrësin, i cili ndodhej në anën e Pompeit.

Gjithashtu ka patur edhe një rrugë tjetër, e cila nisej nga Kriporet e Kavajës, kalonte në Zigxhafaj, Qafë-Shkallë, zbriste në Ndroq, dilte në Tiranë dhe ndiqte Rrugën e Arbërit.

Kjo rrugë është përdorur kryesisht nga karvanet që vinin nga viset veriore të Arbërisë për të blerë kripë në ish-Kriporen e Kavajës.

 VEPRA  TE HERSHME  ARTI

Që nga shekulli III p.e.r. në trevën e Kavajës janë zbuluar objekte me vlera të vërteta historike. Disa prej tyre janë: Hidrofora e Bashtovës, Terrakota e Kodrës së Qenzës, Statuja e Mlikut, Statuja e Hermesit, Stela e varrit e fshatit Çetë etj.

Hidrofora e Bashtovës

Kjo është e vetmja vepër arti e shekullit III p. e r., e zbuluar deri tani. Ajo quhet ndryshe edhe Terrakota e Bashtovës, ngaqë është gjetur në fshatin Bashtovë.

Terrakota është një figurinë prej balte të pjekur. Ajo paraqet një grua më këmbë me veshje të kohës. Artisti i ka lënë të zbuluar vetëm fytyrën. Ajo mban në kokë një enë uji, e quajtur hidrie, prandaj edhe figurina prej balte ka marrë emrin “Hidroforë”, që afërsisht do të thotë “Shtambëmbajtëse”.

Në figurinë gruaja paraqitet në një çast ndalese. Artisti ka nxjerrë në pah bukurinë e trupit të saj dhe një lloj krenarie. Trupi i drejtë me përkulje të lehtë të njërit gju, palat e rrobës që zbresin hijshëm deri poshtë, njera dorë në ije dhe tjetra mbi kokë për të mbajtur enën, fytyra e zbuluar dhe shikimi përpara zbulojnë hire të saj.

Terrakota e Kodrës së Qenzës

E bukur është edhe terrakota me kokën e një femre  e gjetur në Kodrën e Qenzës, që ndodhet 2 km në veri të Kavajës. Ajo u përket shekujve III-II p.e.r.

Ashtu si Hidrofora e Bashtovës edhe Terrakota e Kodrës së Qenzës paraqet një subjekt nga jeta e përditshme. E veçanta e kësaj vepre të vogël arti është trajtimi psikologjik i personazhit, gjë që nuk është vënë re më parë në punimet e tjera.

Artisti ka dhënë portretin e femrës në një çast meditimi. Sytë e saj janë të menduar, vështrimi i përqëndruar, buzët të bashkuara. Artisti që e ka punuar atë ka fiksuar tek personazhi një çast, ku ajo nuk ka vendosur ende për çeshtjen që mendon.

Portreti i femrës më shumë se femëror është serioz. Me sa duket e tillë është edhe çeshtja që ajo mendon. Autori i ka kushtuar kujdes plastikës së fytyrës, që ajo të shprehë sa më qartë shqetësimin dhe dilemën e personzhit.

Këtu qëndron bukuria dhe vlera artistike e saj.

Statuja e Mlikut

Në varrezën e vjetër të fshatit Mlik është gjetur një shtatore mermeri e dëmtuar. Asaj i mungojnë koka dhe këmbët. Mermeri është i bardhë e i pastër. Gjatësia e trupit të saj është 0.6 m. Përmasa e vogël e trupit krijon përshtypjen se ajo është një statujë fëmije. Mirëpo veshja e saj, tërë pala, e punuar me kujdes, të shpie në mendimin se ajo është një shtatore në miniaturë.

Shtatorja është gdhendur vetëm nga pamja ballore, ndërsa faqja e pasme e mermerit është e papunuar. Ka shumë mundësi që ajo të jetë një punë e papërfunduar, ose punë e një murgu të talentuar, që në qetësinë dhe vetminë e kishës së Mlikut, ka gdhendur shtatoren e mermertë.

Shtatorja e Mlikut, ndonëse një vepër arti e papërfunduar, ka vlera të dukshme artistike.

Statuja e Hermesit

Një statujë e vogël prej bronzi e perëndisë greke Hermes është gjetur në fshatin Gosë e Vogël. Hermesi, si mbrojtës i rrugëve dhe karvaneve tregtare, paraqitet pothuaj lakuriq me klamisin (një lloj veshjeje e shkurtër), që i mbulon pjesën e majtë të gjoksit. Trajtat lakuriqe të trupit, gjoksi dhe barku janë të përshkuara nga disa vija, që tregojnë muskulaturën. Flokët janë të krehur para dhe mbi ta është vënë një petas. Në fytyrë dallohen sytë, hunda, goja. Në të gjithë punimin vihet re një ndërthurje e traditës vendase me heronjtë mitologjikë.

Stelë  varri

Një stelë varri është gjetur në fshatin Cetë.

Ajo është një pllakë e madhe mermeri me gjatësi 1.6 m dhe gjërësi 0.7 m. Aty është gdhendur në basoreliev një familje prej 3 vetësh. Kryefamiljari i veshur me togë për zi mban në dorë, mbase, disa shkresa të mbështjella. Flokët i ka të shkurtër dhe pa mbulesë koke. Me dorën e majtë mban vajzën e vet, që ndodhet mes babait e nënës.

Vajza i ka flokët të ndara në mes dhe të lidhura prapa, kurse dy gërshetat i ka hedhur para e në dorën e djathtë mban një kokërr mollë.

E ëma dorën e djathtë ia ka hedhur vajzës në qafë. Flokët i ka të gërshetuara dhe të lidhura me shami.

Veshja e femrave është e kohës. Ajo është e gjatë deri në fund të këmbëve dhe pak të shtrira për tokë.

Kjo stelë nga forma dhe përmbajtja mund t’i takojë fillimit të shekullit I të e.r.

Stela të tilla me kompozime familjare janë të njohura me shumicë si tek helenët, ashtu edhe tek romakët. Të përmendura janë edhe stelat e Istries në Dalmaci.

Edhe në vendin tonë monumente të tilla funerale janë gjetur herë pas here. Stela e gjetur në fshatin Çetë është më e bukura nga ato që janë zbuluar deri tani në vendin tonë. Duke e krahasuar me stela të tjera të kohës, puna skulpturore në të është e një niveli më të lartë.

FAMILJE  ARBERESHE  NE  TREVEN  E  KAVAJES

Në gjysmën e dytë të shekullit XIII dhe në fillim të shekullit XIV disa feudalë shqiptarë u pasuruan dhe u fuqizuan shumë. Ata e shpallën veten kalorës, kontë, arhondë, dukë etj.

Në trevën e Kavajës më të përmendurat kanë qenë dy familje arbëreshe:

Skurajt që kishin formuar në shekullin XII Principatën e Arbërisë dhe zotëronin zonën kodrinore lindore të Kavajës.

Matrangajt që e kishin qendrën e tyre në Bashtovë. Pronat e Matrangajve përfshin pjesën më të madhe të Fushës së Myzeqesë dhe të gjithë krahinën kodrinore bregdetare nga Karpeni në Bashtovë.

Ndërtimi i kështjellës së Bashtovës ka qenë për të siguruar tregtinë me botën e jashtme.

Disa studjues mendojnë se fillimisht kjo kështjellë ka qenë nën sundimin e Matrangajve, pastaj ka kaluar në duart e Muzakajve.

Kulla e Matrangajve ishte ndërtuar në Kodrën e Gjonet, e cila nga tri anë kishte një mbrojtje të mirë natyrore. Këtu zoti feudal ushtronte të gjithë pushtetin e vet. Ajo ishte si një farë kryeqyteti për të gjithë territorin që zotëronin Matrangajt. Në kullën e vet zoti feudal priste e përcillte plot ceremoni feudalë vendas e ambasadorë të huaj.

Familja arbëreshe Matrangaj ishte familja më e fuqishme feudale në shekullin XIV në zonën e Kavajës.

Më i shquari i saj ka qenë Vlashi II Matranga.

PUSHTIMI  TURK

Kavaja u nda në tri zona, ose nahije, siç i quanin turqit. Nahija që përfshinte vargun kodrinor lindor quhej Tomonishta, nahija që përmblidhte Fushën e Kavajës quhej Luz, nahija që përfshinte kodrat perëndimore nga Karpeni në Bashtovë quhej Irmini.

Comments are closed.