“Një ditë në Kavajë- Në mbrojtje të mjedisit dhe personave me aftësi ndryshe

Një mjedis i pastër dhe krijimi i kushteve për personat me aftësi ndryshe ishin në qendër të aktivitetit të organizuar sot në qytetin e Kavajës në kuadër të lëvizjes mbarëkombëtare “Për sot dhe nesër”, që “Albanian Exellence” në bashkëpunim me Agjencinë Telegrafike Shqiptare kanë nisur prej mëse tre vitesh.

Me mbështetjen e bashkisë së qytetit të Kavajës dhe të kryetarit të saj Elvis Rroshi, kjo iniciativë qytetare mblodhi sot në qendër të qytetit me tradita të Kavajës, qytetarë, nxënës të shkollave, autoritete lokale, të cilat përshëndetën këtë lëvizje qytetare, e cila ka në fokus të saj, mbrojtjen e mjedisit, këtë pasuri të madhe të cilën duhet ta ruajmë edhe nëpërmjet mospërdorimit pa kriter të makinave.

Nën ritmin e tingujve të këngëve të Shqipërisë së Mesme, qytetarë, nxënës të shkollave u mblodhën pranë sheshit të kinemasë së qytetit, ku në mënyrë simbolike ndodheshin me biçikletat e tyre edhe një grup fëmijësh të vegjël të kopshteve.

“Për ne ka shumë kuptim që nga qyteti i dijes, Korça, nga mënsonjtorja e parë shqipe, ku ne ndërtuam vendkalimin e parë për invalidët ne ndodhemi sot këtu në qytetin e Kavajës për të inauguruar Rampën, (vendkalim për personat me aftësi ndryshe) në kinemanë tuaj, një qendër e rëndësishme kulturore për qytetin e Kavajës”, tha drejtuesja e “Albanian Exellence”, Flora Nikolla. Nikolla duke nënvizuar aktivitetin e kësaj lëvizje qytetare organizuar në Vlorë , Fier, Pogradec, Korçë, Elbasan, theksoi rëndësinë që ka ndërgjegjësimi i qytetarëve në mbrojtje të mjedisit dhe krijimi i kushteve për personat me aftësi ndryshe.

Duke falënderuar bashkinë e Kavajës dhe kryetarin e saj Elvis Rroshi, Nikolla shprehu kënaqësinë e saj që vendkalimi për invalidët, i ndërtuar në kinemanë e qytetit do të vijojë edhe me ndërtimin e vendklalimeve të tjera për invalidët në bashkinë e qytetit dhe në institucionet e tjera të Kavajës.

“Kjo tregon se ideja jonë po përkrahet gjithnjë e më shumë dhe po gjen zbatim”, tha Nikolla.

Ndërsa nënkryetari i bashkisë së qytetit , Thoma Çaushi duke përshëndetur këtë iniciativë premtoi se të tilla aktivitete me shumë rëndësi qytetare do të vijojnë të zhvillohen edhe në të ardhmen.

Ai nënvizoi rëndësinë që ka organizimi i veprimtarive sportive dhe njëkohësisht krijimi i lehtësirave, që këto verpimtari të organizohen në mënyrë sa më të shpeshtë dhe organike.

Drejtuesja e “Albanian Exellence”, Flora Nikolla së bashku me nënkryetarin Thoma Çaushi prenë pas kësaj shiritin e Rampës, për vendkalilim e invalidëve, pranë kinemasë së qytetit.

Më pas çiklistët e ekipit të Kavajës, të shoqëruar nga nxënësit e shkollave dhe qytetarët kavajas pedaluan nga qendra e qytetit deri tek restoranti “Poçeria e vjetër” , një distancë prej rreth 2.5 km.

– Bisedë te Poçeria e vjetër ” në ndihmë të mjedisit dhe personave ndryshe

Në ambientet e restorantit “Poçeria e vjetër”, pjesëmarrësit e aktivitetit “Një ditë në Kavajë” biseduan dhe hodhën ide për organizimin e këtij aktiviteti, i cili synon të sensibilizojë opinionin në mbrojtje të mjedisit dhe krijimin e kushteve dhe favorizimin e personave ndryshe.

Drejtori i Agjencisë së Sigurimeve Shoqërore të qytetit, Shpendi Barameta, theksoi rëndësinë e përdorimit të vendkalimeve për invalidët në të gjitha institucionet e qytetit.

Duke falënderuar organizatorët e këtij aktiviteti ai i propozoi bashkisë së Kavajës organizimin e “Dita e Kavajës pa makina”, ditë e cila do të kontribuojë edhe më shumë në ndërgjegjësimin e qytetarëve në mbrojtje të mjedisit .

Drejtori i Kulturës në bashkinë e Kavajës, Erion Lalaj, tha se do të kishte shumë rëndësi organizimi i këtij aktiviteti edhe në komunat e Kavajës, nisur nga ideja se ky qytet është fushor.

Qytetarët , tha ai, duhet të jenë më të ndërgjegjësuar në përdorimin e biçikletave dhe duhet të ishin më të pranishëm sot.

“Do të kishte shumë rëndësi që ky aktivitet për përdormin e biçikletave dhe Rampave të kthehet në një aktivitetet të përvitshëm”, theksoi Lalaj. Bashkëbiseduesit treguan edhe eksperiencat e tyre personale në lidhje me përdorimin e biçikletave, duke nënvizuar edhe faktin e rolit pozitiv që ka përdorimi i tyre në shëndetin dhe në luftën kundër obezitetit.

Imazhi i kësaj lëvizje , artisti Ardian Cerga i propozoi gjatë këtij takimi policisë rrugore, organizimin e takimeve të kësaj policie me nxënës të shkollave për njohjen me rregullat e qarkullimit rrugor dhe ecjen në rrugë, si dhe njohjen me përdorimin e vizave të bardha .

Aktivitetet në kuadër të kësaj nisme do të vijojnë në orën 19:30 në lokalin “Poçeria e vjetër”, ku do të çelet ekspozita fotografike “Perëndime të humbura” e artistit , Ardian Cerga, si dhe do të shfaqen pjesë nga filmat e aktorit Cerga. Më pas të pranishmt do të zhvillojnë një bisedë me Ardian Cergën.

Pjesë e aktivitetit është edhe nënshkrimi i një thirrjeje publike sensibilizuese në ndërtimin e rampeve dhe përdorimin e biçikletave.

Me këtë rast do t’i dorëzohet titulli anëtar nderi i “Albanian Excellence”, kryetarit të bashkisë së Kavajës, Elvis Rroshi, si dhe çertifikata nderi njerëzve të propozuar me këtë rast nga bashkia e qytetit të Kavajës.

Albanian Excellence e promovoi këtë nismë me sukses të plotë në shtator të vitit 2013 në qytetin e Pogradecit së bashku me nismën e biçikletave, e cila u promovua në qershor në qytetin e Vlorës. Po por po aq e suksesshme rezultoi kjo nismë edhe në qytetin e Fierit në 23 tetor 2013, kur disa qindra qytetare pedaluan në rrugët kryesore të qytetit, sikundër edhe u inagurua rampa për invalidet në hyrje të teatrit Bylis. Po ashtu lëvizja me biçikleta është organizuar edhe në qytetin e Elbasanit në mars të vitit 2014. Nga Fieri, u lexua edhe një thirrje publike drejtuar të gjithë opinionit, për tu bashkuar me këtë lëvizje shumë qytetare dhe fisnike, e cila do të firmoset tashmë në të gjitha qytetet ku do të zhvillohet kjo nismë, në mbrojtje të mjedisit tonë, por edhe për t’i krijuar kushte shtresës së invalidëve në shoqërinë tonë.

Nisma me biçikleta ,nisi në qershor të vitit 2013 në qytetin e Vlorës dhe është një nismë mbarëkombëtare. Simboli i kësaj lëvizje është një pemë ulliri ,e cila do të shoqërojë në harkun kohor te organizimit levizjen “Per sot dhe per neser”, që do të përfshijë të gjithë qytetet e Shqipërisë për t’u shtrirë më pas në Kosovë, Maqedoni dhe Mal të Zi.

Shoqata Albanian Excellence, në bashkëpunim me bashkinë e Vlorës dhe EcoVolis, risollën në vëmendjen e qytetarëve vlonjatë, përgjatë dy orëve, lëvizjen qytetare “Vlora ime me biçikleta”, e cila kërkon të përkrahet nga të gjithë në të mirë të mbrojtjes së mjedisit. Pedaluan figura të njohura të qytetarisë vlonjate, porse më e rëndësishme ishte se ndër pedaluesit ishin edhe fëmijët ata që iu bashkuan kësaj nisme. Në krye të pedaluesve ishte aktori i mirënjohur, Ardian Cerga, i cili rikthehet pas shumë vitesh me një lëvizje të tillë qytetare.

Kjo nismë, e cila në Shqipëri mungon synon të përkrahë dhe t’u krijojë kushte, invalidëve, si një shtresë e shoqërise ,e cila duhet të ketë të gjitha të drejtat. Imazhi i kësaj lëvizje qytetare është aktori dhe artisti i mirënjohur Ardian Cerga, i cili rikthehet në jetën shqiptare mbas një shkëputje shumëvjeçare, pikërisht përmes një lëvizje qytetare shumëdimensionale.

Në krye të lëvizjes në qytetet ku është organizuar si Korça, Fieri, Vlora, Elbasani, Pogradeci, janë vënë artistët e qyteteve dhe jo vetëm, të cilët kanë nënshkruar një thirrje publike në mbrojtje të mjedisit si dhe në ndihmë të personave në nevojë.

“Albanian Excellence”, AE, u krijua në fillim të vitit 2012, me presidente Flora Nikolla, aktualisht Kryeredaktore e Lajmeve në Agjencinë Telegrafike Shqiptare (ATSH), me një experience 26 vjecare në fushën e publicistikës dhe medias vizive.

Projekti “Albania Excellence”, për evidentimin e shqiptarëve të suksesshëm, është projekti i parë i kësaj OJQ-je e cila ka në programin e saj afatgjatë krijimin e nje database të ekselencës shqiptare në botë. Qendra ka si qëllim të kontribuojë në prezantimin, evidentimin, promovimin dhe përkrahjen e Shqiptarëve të Republikës së Shqipërisë, Kosovës, Malit të Zi, Maqedonisë, Çamërisë të cilët kanë arritur të integrohen profesionalisht në vendet ku kanë emigruar apo ku aktualisht jetojnë dhe që kanë treguar vlera të larta qytetare dhe arritje profesionale të larta; kanë ruajtur identitetin dhe kulturën Shqiptare, kanë treguar një lidhje me atdheun e tyre. Fusha e veprimtarisë së Qendrës shtrihet në studime, botime, promovime, aktivitete kulturore, shkencore, artistike, etj; në takime, simpoziume, konferenca si dhe cdo aktivitet tjetër që lidhet me qëllimin e Qendrës.

Deri tani veç librit , “100 histori suksesi në 100 vjetorin e Pavarësisë”, i promovuar me një mbrëmje Gala, në Teatrin e Operas dhe Baletit në Nëntor 2012, në kuadrin e qëlllimit të Albanian Excellence, janë botuar “Berati-Histori suksesi”(2013), Fieri-Histori Suksesi(2014), Vlora-Histori suksesi 2014, libra të cilat janë promovuar përmes një lëvizje qytetare ku në qendër të saj kanë qenë personazhet e librave të ardhur enkas për këto evente nga vendet që jetojnë. Mbrëmja Gala, ka qenë eventi i cili ka promovuar librat përkatës, sikundër personazhet kanë qenë në qendër të saj me historitë e tyre të suksesit. Albania Excellence është promotore e projektit për ndërtimin e vendkalimeve për invalidët, si dhe projektit për përdorimin e bicikletave, një lëvizje mbarëkombëtare e cila është zhvilluar nv Fier, Pogradec, Vlorë, Elbasan, Korçë.